Më 12.06.2026, në ora 20:30, në Tetovë, zyrtarë policorë nga Departamenti i Policisë Kriminalistike pranë SPB Tetovë kanë privuar nga liria personin B.A. (37) nga Tetova.
Sipas policisë, arrestimi është kryer pas një denoncimi të bërë nga ish-partnerja e tij 40-vjeçare nga rrethina e Tetovës, e cila ka raportuar se pas ndërprerjes së lidhjes së tyre në prill 2026, i dyshuari e ka ndjekur vazhdimisht nëpër qytet dhe e ka shqetësuar përmes telefonit nga numra të ndryshëm.
Gjithashtu, sipas kallëzimit, pasi ajo ka refuzuar të vazhdojë marrëdhënien, ai dyshohet se ka drejtuar kërcënime ndaj saj dhe familjes së saj.
Policia ka bërë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personit do të ngrihet padi penale përkatëse.
