Rikthehet në gjykatë çështja e “Lotarisë Shtetërore”, vazhdon procesi ndaj Bajramit

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot pritet të vazhdojë gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”, pasi javën e kaluar autoriteteve hetimore në vend iu dorëzua i akuzuari i parë, Perparim Bajrami, ish-drejtor i Lotarisë Shtetërore.

Pasi u arratis nga vendi, për Bajramin ishte lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar. Më 9 shtator, ai u dorëzua vetë në pikën kufitare “Bllacë”, pas së cilës u dërgua në burgun e Shkupit për të vuajtur masën e paraburgimit të caktuar më herët.

Përveç Bajramit, në këtë rast janë të akuzuar edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, Metodija Dimevski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu.

Në seancën gjyqësore që filloi javën e kaluar, të gjithë të akuzuarit deklaruan se nuk ndihen fajtorë, me përjashtim të Bajramit, i cili në seancën e parë ende ishte i paarritshëm për organet e ndjekjes, si dhe të akuzuarit Bashkim Avdiu. Ky i fundit deklaroi se nuk e kupton aktakuzën që i ngarkohet dhe kërkoi që ajo t’i dorëzohet me shkrim në gjuhën e tij amtare, shqip.

Aktakuza, të cilën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ka të bëjë me veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, përmes të cilave të akuzuarit kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe i kanë shkaktuar dëm Lotarisë Shtetërore në vlerë prej 596.125.511 denarësh.

Burimi: MIA