Ardit Cuni do performojë si i ftuar special në Vjenë

Pjesë e atmosferës së Eurovision-it këtë vit nuk do të jetë vetëm një artist shqiptar, por dy.

Përveç Alis Kallaçi, edhe Ardit Cuni do të jetë pjesë e eventeve zyrtare të Eurovision Song Contest 2026.

Këngëtari shqiptar ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale se do të performojë si “Special Guest” në EuroVillage, eventi zyrtar i Eurovision-it, që do të mbahet më 13 maj në sheshin Rathausplatz në Vienna.

Në postimin e tij, Arditi tregoi se performanca live do të nisë në orën 17:30.

“Lajmi që kam pritur më së shumti të ndaj me ju. Më 13 Maj do jem i ftuar special në eventin më të madh të organizuar nga Eurovision Song Contest & Bashkia e Vjenës për të performuar live në 17:30, në sheshin Rathausplatz”, shkroi ai.

EuroVillage organizohet nga ORF në bashkëpunim me Bashkinë e Vjenës dhe konsiderohet një nga aktivitetet më të rëndësishme të Eurovision-it, ku çdo ditë mblidhen mijëra fansa për të ndjekur performanca live nga artistë ndërkombëtarë.