Akuaparku në Shkup nuk hapet as këtë verë

Akuaparku në kuadër të Qendrës Sportive “Boris Trajkovski” në Shkup nuk do të jetë në funksion as gjatë kësaj vere.

Drejtori i qendrës, Daniel Apostolovski, ka deklaruar se objekti ndodhet në gjendje të rënduar dhe ka nevojë për një rinovim të plotë. Sipas tij, për rikonstruksionin e akuaparkut nevojiten rreth 1 milion euro, mjete të cilat aktualisht nuk janë në dispozicion.

Ai theksoi se prioritet i institucionit mbetet renovimi i pishinës, ndërsa rikthimi në funksion i akuaparkut do të varet nga sigurimi i fondeve të nevojshme.

Akuaparku është mbyllur që nga viti 2024. Sipas raportit të revizionit, vendimi për mbylljen ishte rezultat i mungesës së rentabilitetit ekonomik dhe skadimit të garancisë dhjetëvjeçare të pajisjeve.

Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2023, akuaparku realizoi të ardhura dukshëm më të ulëta se sa ishte planifikuar, çka ndikoi në vendimin për ndërprerjen e funksionimit të tij.