Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, ka reaguar ashpër pas dëmtimeve të shkaktuara në investimet për sistemin e ujitjes pranë pendës së Tearcës, duke i cilësuar ato si akte vandale që dëmtojnë drejtpërdrejt interesin e qytetarëve.
Në reagimin e tij, Memishi theksoi se këto veprime nuk do ta ndalin punën dhe përkushtimin e komunës për realizimin e projekteve që janë në shërbim të banorëve.
“Dikujt po i pengon puna, angazhimi dhe rezultatet që po arrihen. Megjithatë, veprime të tilla nuk do të na zbrapsin dhe nuk do të ndikojnë në përkushtimin tonë për të vazhduar investimet në interes të qytetarëve”, u shpreh ai.
Kryetari bëri të ditur se rasti tashmë është paraqitur pranë institucioneve kompetente dhe pret që ai të trajtohet me seriozitet të plotë.
Ai nënvizoi se dëmtimi i pasurisë publike është i papranueshëm dhe se do të kërkohet përgjegjësi për çdo person që rezulton i përfshirë në këto veprime.
Sipas Memishit, investimet publike janë pronë e të gjithë qytetarëve dhe mbrojtja e tyre mbetet prioritet i institucioneve lokale.

