Policia ka ngritur kallëzime penale ndaj nëntë personave dhe një kompanie, për dyshime për keqpërdorime gjatë realizimit të dy tenderëve në Drejtorinë për Punë Hidrometeorologjike në Shkup, me vlerë të përgjithshme mbi 30 milionë denarë.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), tetë nga të dyshuarit janë punonjës të kësaj Drejtorie, përfshirë ish-ushtruesin e detyrës së drejtorit, ndërsa personi i nëntë është drejtues i një kompanie nga Manastiri.
Hetimet lidhen me dyshime për shkelje të procedurave të prokurimit gjatë vitit 2023, duke përfshirë pranimin e ofertave që nuk plotësonin kushtet, dokumentacion të parregullt dhe miratimin e faturave me të dhëna të pasakta.
Sipas policisë, përmes këtyre veprimeve dyshohet se një kompanie nga Shkupi i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm prej 29,2 milionë denarësh, rreth 475 mijë euro, ndërsa një kompanie nga Manastiri prej 782 mijë denarësh, rreth 12.700 euro.
Kallëzimet penale janë dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup për procedim të mëtejshëm.
