Një debat mes sekretarit të përgjithshëm të BDI-së, Arbër Ademi, dhe deputetit të VLEN-it, Bekim Qoku, është zhvilluar në emisionin “N’Dritë” në Alsat, ku në fokus ishte roli i Ali Ahmetit dhe çështjet që lidhen me Gjykatën Speciale në Hagë.
Gjatë debatit, Qoku akuzoi Ahmetin se, sipas tij, “ka bërë pazar në emër të UÇK-së”, ndërsa Ademi i kundërshtoi këto deklarata.
“Nuk ka fuqi mbi tokë që mund ta shantazhojë Ali Ahmetin, një themelues të UÇK-së, një veprimtar si Ali Ahmeti”, deklaroi Ademi.
Debati mes dy politikanëve u zhvillua në kuadër të diskutimeve për rolin e Ahmetit në zhvillimet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe qëndrimet rreth proceseve në Hagë.
Qoku ngriti gjithashtu pyetje lidhur me qëndrimin e Ahmetit ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe pretendoi se ai kishte pasur rol në themelimin e Gjykatës Speciale. Ademi i kundërshtoi këto pretendime dhe tha se Ahmeti ka dëshmuar në Hagë si themelues i UÇK-së.
