Ngjarje e rëndë trondit qytetin: një vajzë kërkoi ndihmë, më pas ndodhi tragjedia

Një ngjarje e rëndë me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Ferizaj, ku një vajzë mbeti e plagosur, ndërsa personi i dyshuar më pas i dha fund jetës duke qëlluar veten.

Rasti ka ndodhur rreth orës 22:00 në rrugën “Driton Islami”, pranë barnatores “Riga”. Sipas të dhënave, 24-vjeçarja L.U. nga fshati Jezerc kishte hyrë në barnatore në gjendje të shqetësuar, duke kërkuar ndihmë nga punëtorja dhe duke deklaruar se po ndiqej nga një person i armatosur.

Pak çaste më vonë, në vendngjarje ka hyrë edhe i dyshuari, Valon Krasniqi, 32 vjeç nga Qollapeku i Lipjanit. Ai dyshohet se fillimisht është përpjekur ta largojë me forcë vajzën, por pasi ajo ka kundërshtuar dhe ka tentuar të ikë, ai ka nxjerrë armën dhe ka shtënë në drejtim të saj, duke e plagosur.

Megjithëse e lënduar, e reja ka arritur të largohet drejt hapësirave të brendshme të barnatores, ndërsa i dyshuari e ka ndjekur. Në një moment të mëvonshëm, ai ka drejtuar armën nga vetja dhe ka qëlluar në kokë.

Pas raportimit për të shtëna, policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka siguruar zonën. Vajza e plagosur është gjetur jashtë objektit, ndërsa brenda është gjetur i dyshuari i plagosur rëndë.

Të dy janë dërguar fillimisht në emergjencën e Ferizajt dhe më pas janë transferuar në QKUK në Prishtinë. Sipas informacioneve të fundit, vajza ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i dyshuari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

Në vendngjarje janë gjetur arma dhe gëzhojat, ndërsa hetuesit kanë nisur grumbullimin e provave, përfshirë edhe pamjet e kamerave të sigurisë. Rasti është marrë në trajtim nga prokurori dhe hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *