“Të marrin dënimin maksimal”, deklarata e Edona Llalloshit

Vrasja e Arlinda Zekajt në Pejë, ku i dyshuari është kunati i saj, ka nxitur reagime të shumta. Mes tyre është edhe këngëtarja Edona Llalloshi, e cila ka ripublikuar një video të vitit 2024, ku bënte thirrje për luftimin e dhunës ndaj grave.

Në deklaratën e saj për “TV Dukagjini”, Llalloshi kishte kërkuar që kërcënimet, shantazhet dhe format e dhunës psikologjike ndaj grave të trajtohen me seriozitet dhe të ndëshkohen maksimalisht.

“Çdo femër, çdo individ që e quan veten njeri, t’i luftojmë këta […] që provojnë çdo lloj shantazhi që u adresohen femrave, kërcënimeve, se vrasja nuk është vetëm vrasje, po është vrasje psikologjike në forma të ndryshme”, ishte shprehur ajo.

Krahas videos, këngëtarja ka shkruar: “Apeli im me zë dhe figurë ndër vite, në luftën kundër dhunës”.

Mesazhi i saj rikthen në vëmendje rëndësinë e reagimit shoqëror kundër kërcënimeve, shantazhit dhe çdo forme të dhunës ndaj grave.