Gani Geci ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurti, duke i akuzuar se kanë heshtur për rastin e Behajdin Allaqit pas shpalljes së aktgjykimit nga gjykata.
Në një postim në Facebook, Geci pretendon se para ardhjes në pushtet, Vetëvendosje kërkonte vazhdimisht zbardhjen e rasteve të Behajdin Allaqit dhe Astrit Deharit, ndërsa tani, sipas tij, nuk po reagon në të njëjtën mënyrë.
“Pasi LVV-ja erdhi në pushtet dhe pas shpalljes së aktgjykimit për Behajdin Allaqin, Albin Kurti, bashkë me LVV-në, i kanë shti veshët në lesh”, shkroi Geci.
Ai akuzoi gjithashtu LVV-në dhe PDK-në se, sipas tij, kanë vepruar së bashku kundër LDK-së për vite me radhë, duke ngritur edhe pyetje lidhur me qëndrimet e tyre për rastin Allaqi.
Reagimi i Gani Gecit vjen pas polemikave të shkaktuara nga një postim i deputetit Fatos Geci, i cili bëri deklarata të forta për Hashim Thaçin dhe rastin e Behajdin Allaqit.
Reagimi i plotë:
LVV-ja edhe PDK-ja së bashku bënë luftë speciale kundër LDK-së për vite me radhë. E sulmonin LDK-në pse i përmendte viktimat e veta të luftës dhe pas luftës.
Ndërsa LVV-ja, për të ardhur në pushtet, çdo ditë kërkonte zbardhjen e rasteve të dy viktimave të LPK-së, Bejadin Allaqit dhe Astrit Deharit.
Pasi LVV-ja erdhi në pushtet dhe pas shpalljes së aktgjykimit për Bejadin Allaqin, Albin Kurti, bashkë me LVV-në, i kanë shti veshët në lesh. Nuk po guxojnë të thonë, të paktën, se Bejadin Allaqi dhe Astrit Dehari nuk janë gjallë.
Këtu vlen ajo thënia popullore: “Shyqyr që ra kjo dekë e ua pamë burrërinë dhe guximin e Albin Kurtit dhe LVV-së.”
A u bëtë bashkë me ata që, me aktgjykim, janë dënuar për rastin e Bejadin Allaqit?
Shyqyr që edhe aktgjykimi atje u shkrua me dëshmitë e fshehta të anëtarëve të LVV-së.
Kjo u bë për arsye se të dyja palët, PDK-ja dhe LVV-ja, ishin pjellë e LPK-së dhe dinin mirë për veprimet e njëra-tjetrës në të gjitha kohërat.
Mos i akuzoni familjarët e viktimave të pafajshme të LDK-së, të cilët u vranë në pragjet e shtëpive, duke shkuar në punë ose duke u kthyer nga puna.
Viktimat e LDK-së, prej varrit, po kërkojnë drejtësi.
Prandaj LDK-ja nuk i bëri votat bashkë me ju, sepse jeni të njëjtë, fatmirësishtë te gjithë e kan kuptuar se njerëzit për pushtet po hangshin edhe mut.
