Dy shtetas të huaj, të cilët kishin humbur rrugën drejt majës së Piribegut në Malin Sharr, janë shpëtuar falë ndërhyrjes së ekipeve të kërkim-shpëtimit nga Kosova.
Alarmi është dhënë në orën 08:22 përmes numrit emergjent 112, pasi alpinistët, për shkak të motit të keq, ishin strehuar në një objekt malor pranë kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), shiu dhe mjegulla e vështirësuan ndërhyrjen nga territori maqedonas, ndërsa arritja në këmbë deri te vendndodhja e tyre do të kërkonte më shumë se gjashtë orë.
Për këtë arsye, u kërkua ndihma e ekipeve kosovare, të cilat kishin qasje më të lehtë përmes Brezovicës.
Pas koordinimit mes institucioneve të të dyja vendeve, në orën 16:50 u konfirmua se të dy alpinistët ishin gjetur në gjendje të mirë shëndetësore dhe po transportoheshin drejt Shtërpcës, në Kosovë.
