Gjatë një bisede të sinqertë në emisionin “Goca dhe Gra”, Selin Bollati ka ndarë një histori personale dhe prekëse që lidhet me marrëdhënien e saj me prindërit pas eksperiencës në “Big Brother”.
Selina tregoi se vendimi i saj për të marrë pjesë në reality show shkaktoi një përplasje të fortë mes prindërve të saj. Njëri prej tyre e kishte mbështetur, ndërsa tjetri kishte qenë kundër këtij vendimi.
“Vendimi im për të hyrë në ‘Big Brother’ ishte një moment vendimtar. Njëri prind më mbështeti, ndërsa tjetri ishte kundër”, rrëfeu ajo.
Sipas Selinës, tensionet mes prindërve vazhduan edhe pas përfundimit të programit, ndërsa ajo nisi të ndihej përgjegjëse për krizën që po kalonte familja.
“Unë isha në qendër të kësaj situate, dhe ndihesha përgjegjëse për krizën që po kalonin prindërit e mi”, tha ajo.
Selina foli edhe për mënyrën se si kjo situatë e bëri të reflektonte mbi rolin që mund të kenë fëmijët në marrëdhënien e prindërve.
“Ndonjëherë, fëmijët mund të jenë faktorë që çojnë në ndarje, por në rastin tim, ata gjithashtu mund të jenë forca që i bashkon sërish”, u shpreh ajo.
E pyetur për gjendjen e tyre sot, Selina zbuloi se prindërit e saj janë përsëri bashkë, duke treguar se kishte ndërhyrë dhe kishte bërë përpjekje për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës.
“Sot prindërit e mi janë bashkë”, deklaroi ajo.
Për përgjegjësinë që ndjeu gjatë kësaj periudhe, Selina tha me emocion:
“Është një përgjegjësi e madhe, sepse asnjë fëmijë nuk dëshiron të shohë prindërit e tij të vuajnë.”
