Dua Lipa flet me krenari për gjyshin e saj: “U pushua nga puna sepse nuk e pranoi kërkesën e serbëve”

Një rrëfim që lidhet me familjen e këngëtares me famë botërore Dua Lipa po qarkullon sërish në rrjetet sociale.

Në rrëfimin e publikuar ndër vite, bëhet fjalë për gjyshin e saj nga ana e babait, historianin Seit Lipa, i cili ka qenë edhe drejtor i Institutit të Historisë në Prishtinë.

Sipas një deklarate që i atribuohet Dua Lipës në një intervistë për revistën “Rolling Stone”, gjatë periudhës së okupimit, gjyshit të saj i ishte kërkuar të ndryshonte mënyrën se si paraqitej historia.

“Gjyshi im nga ana e babait tim po shkruante libra për gjithçka që po ndodhte. Kur ndodhi okupimi, forcat serbe kërkuan që ai të rishkruajë historinë. Ai nuk pranoi dhe ai humbi punën e tij. Kështu që është pjesë e asaj që unë jam dhe qëndroj pranë gjërave në të cilat besoj”, thuhet në deklaratën e atribuar këngëtares.

Rrëfimi lidhet edhe me historinë e prindërve të Dua Lipës, të cilët u larguan nga Kosova drejt Mbretërisë së Bashkuar gjatë luftës. Babai i saj, Dukagjin Lipa, studionte stomatologji dhe ishte pjesë e grupit rock “Oda”, ndërsa nëna e saj, Anesa, studionte drejtësi.

Pas largimit nga Kosova, familja u vendos në Londër, ku prindërve iu desh të nisnin nga e para dhe të punonin në bare e restorante, ndërsa vazhdonin edhe shkollimin.

Dua Lipa lindi disa vite pas shpërnguljes së tyre dhe më vonë nisi rrugëtimin e saj në muzikë, duke ndjekur edhe shkollën e teatrit “Sylvia Young” në Londër.