Filipçe: “Qytetarët po zhyten në varfëri, ndërsa ne diskutojmë për tema historike”

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në një intervistë për “Sitel” tha se standardi i jetesës dhe ekzistenca e qytetarëve duhet të jenë prioritet, duke kritikuar fokusin te temat historike.

“Ndërsa ne diskutojmë për reliket e Car Samuilit nga një mijë e kusur vite më parë, këtu qytetari po zhytet në varfëri”, deklaroi Filipçe.

Ai tha se qytetarët e kanë të vështirë të përballojnë shpenzimet, ndërsa foli edhe për problemet e fermerëve, duke përmendur çmimet e ulëta të blerjes, subvencionet dhe rritjen e kostove të prodhimit.

Sipas Filipçes, shumë fermerë kanë marrë kredi dhe përballen me vështirësi për t’i shlyer ato. Ai kërkoi që shumica parlamentare të mbështesë propozimin e LSDM-së për mbështetje shtesë financiare në bujqësi.