Përplasje mes AKI-së dhe Komunës për shkollat e Tetovës

Në seancën e Këshillit Komunal të Tetovës pati sërish përplasje mes këshilltarëve të opozitës dhe përfaqësuesve të komunës, këtë herë lidhur me kushtet në institucionet arsimore.

Koordinatori i grupit të këshilltarëve të AKI-së, Berat Murati, ngriti disa shqetësime, duke veçuar shkollën “Përparimi” në Reçicë. Sipas tij, përdorimi i pllakave në klasa mund të paraqesë rrezik për lëndime të nxënësve.

Nga Komuna e Tetovës i kanë kundërshtuar këto pretendime, duke deklaruar se investimet dhe rinovimet janë realizuar në bazë të kërkesave dhe vlerësimeve të komisionit.

Validin Ademi nga Sektori për Arsim tha se pllakat e vendosura në shkolla i plotësojnë standardet dhe se nuk paraqesin problem për sigurinë e nxënësve.

Në seancë u ngritën gjithashtu pretendime për mospërshtatjen e karrigeve dhe bankave me moshën e nxënësve.

Nga Komuna sqaruan se mobiliet shkollore janë të ndara sipas grupmoshave: nga klasa e parë deri në të dytën përdoren karrige më të ulëta, nga e treta deri në të pestën më të larta, ndërsa nga klasa e gjashtë deri në të nëntën përdoren karrige standarde, në përputhje me lartësinë e përcaktuar.