Maturantët në Kroaci i bëjnë surprizë profesoreshës: i dhurojnë makinë në shenjë mirënjohjeje

Një ngjarje emocionale ka ndodhur në qytetin kroat të Zadarit, ku një profesoreshë e Shkollës së Mesme Teknike ka marrë një surprizë të papritur nga maturantët e saj.

Nxënësit, të cilët po përfundojnë studimet për teknikë aviacioni, i kanë dhuruar profesoreshës një makinë, si shenjë falënderimi për kujdesin, durimin dhe përkushtimin gjatë katër viteve të shkollimit.

Sipas mediave lokale, e gjithë surpriza ishte organizuar në fshehtësi të plotë, ndërsa momenti i zbulimit në oborrin e shkollës ishte i mbushur me emocione dhe duartrokitje.

Në momentin kur profesoresha Nina kuptoi dhuratën, ajo mbeti e habitur dhe pa fjalë, duke mos e besuar gjestin e nxënësve të saj.

Portalet lokale e kanë cilësuar këtë si një nga gjestet më të veçanta të mirënjohjes ndaj mësuesve, duke theksuar se ajo ka lënë gjurmë të forta te nxënësit e saj përmes edukimit dhe përkushtimit.