Policia e Kosovës ka reaguar ndaj pretendimeve të publikuara në rrjetet sociale se qytetarë janë ndaluar apo ndëshkuar për shkak të përdorimit të flamujve të UÇK-së.
Sipas Policisë, asnjë qytetar nuk është ndaluar, ndëshkuar apo dhunuar për përdorimin e simboleve historike kombëtare ose të UÇK-së. Institucioni thotë se ndërhyrjet policore kanë qenë të lidhura me shkelje të ligjit dhe me sigurinë në komunikacion.
Policia ka bërë të ditur se ka angazhuar kapacitetet e saj për garantimin e sigurisë gjatë protestës së paralajmëruar në Prishtinë, si dhe për menaxhimin e qarkullimit rrugor.
Pas përfundimit të protestave, sipas Policisë, disa pjesëmarrës kanë vazhduar lëvizjen me automjete nëpër kryeqytet, ku në disa raste janë konstatuar vozitje të rrezikshme dhe të pakontrolluara. Po ashtu, disa persona dyshohet se kanë qëndruar mbi vetura ose në dritaret e tyre gjatë lëvizjes.
Sipas njoftimit, ndërhyrjet e zyrtarëve kanë pasur për qëllim parandalimin e rrezikimit të pjesëmarrësve në trafik, këmbësorëve dhe vetë personave të përfshirë.
Policia ka theksuar se synimi i saj është që protestat të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të sigurt, duke garantuar rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve.
