Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi dhe familjet në Fier. Tre shqiptarë kanë humbur jetën në orët e para të mëngjesit të së enjtes në Glyfada të Athinës, ndërsa dy të rinj të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.
Sipas mediave greke, aksidenti ndodhi rreth orës 02:00 në bulevardin Poseidonos, në kryqëzimin me rrugën Kalypsous, në drejtim të Athinës. Automjeti, në të cilin ndodheshin pesë persona, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me forcë me një mur betoni pranë një hoteli.
Përplasja ishte aq e fuqishme sa makina u shkatërrua pothuajse plotësisht. Në vendngjarje shkuan ekipet zjarrfikëse, ku tetë efektivë me tre automjete dhe pajisje speciale u angazhuan për nxjerrjen e personave të bllokuar në automjet.
Tre nga pesë personat nuk arritën t’u mbijetonin plagëve. Sipas informacioneve të para të autoriteteve greke, viktimat janë një 23-vjeçar, një 26-vjeçar dhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk ishte bërë publik.
Dy të mbijetuarit, të dy 18-vjeçarë, u dërguan në spital. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike dhe është i intubuar, ndërsa tjetri ka pësuar dëmtime të shumta dhe po merr trajtim mjekësor.
Policia rrugore greke ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Në kuadër të hetimeve po shqyrtohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa deri tani nuk raportohet për përfshirjen e ndonjë automjeti tjetër.
Sipas raportimeve të FieriWeb, të tre viktimat janë të rinj nga Fieri. Lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjet e tyre, ndërsa dy të rinjtë e plagosur vazhdojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve.
Aksidenti që tronditi shqiptarët në Greqi, tre viktima nga Fieri
