Ndryshime në ekran / Zbardhet emri i ish-banores së njohur që po lansohet si zëvendësuese e Jonida Vokshit

Edicioni i pestë i “Big Brother VIP Kosova” pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në ekipin e moderimit, sidomos pas largimit të Jonida Vokshit nga drejtimi i këtij formati të ndjekur.

Edhe pse produksioni ende nuk ka zbuluar zyrtarisht se kush do të jetë krahu i djathtë i Alaudin Hamitit në sezonin e ri, korridoret e showbiz-it kanë nisur të aludojnë për emrat e mundshëm.

Një prej zërave që po përflitet më fort së fundmi është ai i Elijona Binakaj, ish-banores së edicionit të katërt të këtij reality show. Mundësia e kalimit të saj nga pozicioni i konkurrentes në atë të moderatores u hodh si ide gjatë një interviste nga gazetari Elton Tozaj, ndërkohë që deri më tani mungon një konfirmim zyrtar nga ana e saj apo e televizionit Klan Kosova.

Elijona ishte pa diskutim një prej protagonisteve më të komentuara të BBVK 4, rrugëtim i cili e dërgoi deri në natën e madhe të finales ku u shpall edhe finalistja që u rendit në vendin e dytë.

Nëse ky skenar do të konfirmohej, ky do të ishte një hap i madh dhe një kthesë interesante për karrierën e saj televizive. Megjithatë, deri në një njoftim zyrtar nga produksioni, emri i Elijona Binakaj mbetet thjesht një nga alternativat dhe dëshirat që qarkullojnë në rrjet për krah Alaudin Hamitit në BBVK 5.