Në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar 24 zjarre në hapësira të hapura, njofton Qendra për Menaxhim me Krizat (QMK). Prej tyre, 7 janë ende aktive, 1 është nën kontroll, ndërsa 16 janë shuar plotësisht.
Sipas të dhënave deri në orën 07:30, zjarre aktive janë raportuar në disa zona, përfshirë Resnjën, Sarajin, Zelenikovën, Çashkën, Bogovinën, Vrapçishtin dhe Makedonski Brodin.
Në zonën e Urviçit në Komunën e Bogovinës, si dhe në Gradec të Vrapçishtit, zjarret vazhdojnë të jenë aktive.
Nën kontroll është vendosur zjarri në zonën e Tërnovës në Komunën e Gostivarit, në drejtim të fshatrave Bitovë, Zagrad dhe Strajan.
Ndërkohë, 16 zjarre janë shuar plotësisht në disa komuna të vendit, përfshirë Tetovën, Jegunovcin, Bërvenicën, Strugën, Vrapçishtin, Mavrovë-Rostushin dhe të tjera.
QMK vazhdon të monitorojë situatën dhe gjendjen e zjarreve në terren.
