Koalicioni qeverisës VLEN vlerëson se me Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat vendosen për herë të parë rregulla të qarta dhe detyruese për të gjitha institucionet, me qëllim eliminimin e, siç thonë ata, abuzimeve dhe punësimeve pa meritë që i atribuohen periudhave të mëparshme.
Nga VLEN theksojnë se kjo nismë synon të garantojë trajtim të barabartë dhe përfaqësim të drejtë për të gjithë qytetarët që për vite kanë pritur një përfshirje më të drejtë në administratë.
“Për herë të parë, kjo çështje do të ketë përgjegjësi konkrete institucionale. Do të krijohet një trup koordinues, i udhëhequr nga një zëvendëskryeministër shqiptar, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e ligjit dhe do të kërkojë llogari nga institucionet. Nuk do të ketë më hapësirë për manipulime apo deklarime të pasakta. Ky ligj nuk i shërben një partie, por çdo shqiptari që ka pritur të trajtohet me dinjitet dhe të marrë pjesën që i takon”, deklaroi Astrit Iljazi nga VLEN.
Ndërkohë, nga opozita e BDI-së kanë reaguar më herët duke kundërshtuar këtë propozim-ligj, të cilin e cilësojnë si hap prapa dhe jo si përparim. Ata shprehen se drafti nuk garanton mekanizma të mjaftueshëm për përfaqësim të drejtë.
“Propozim që po qarkullon në media: -nuk parasheh kuota etnike, që d.m.th. ne prap do të vazhdojmë si para vitit 2001 kur shqiptarët ishin vetëm 0,2 % në administratë; -nuk parasheh obligim për institucionet që t’i identifikojë në bazë etnisë qytetarët me rastin e punësimit apo avancimit; -nuk parasheh dispozita sanksionuese; Me një fjalë: një ligj mashtrimi, kurthi, pa shpirt, pa drejtësi”, thonë nga BDI.
Më 7 prill, Qeveria miratoi këtë projekt-ligj dhe e dërgoi në Kuvend për procedurë të mëtejshme miratimi. Deri tani, dokumenti i plotë nuk është bërë publik. Ndërkohë, zëvendëskryeministri Bekim Sali ka deklaruar se ky ligj e shndërron parimin e përfaqësimit të drejtë nga një normë kushtetuese në një detyrim të qartë ligjor për të gjitha institucionet shtetërore.
