VLEN ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së lidhur me konkursin për nxënës në shkollën e mesme të policisë, duke i cilësuar pretendimet e kësaj partie si manipulim dhe përpjekje për të krijuar panik në opinion.
Nga VLEN thonë se BDI po përzien konkursin për punësim në polici me konkursin për nxënës në shkollën e mesme për policë, duke theksuar se bëhet fjalë për dy procedura të ndryshme.
“Është gënjeshtër e pastër përpjekja e BDI-së për të përzier konkursin për punësim në polici me konkursin për nxënës në shkollën e mesme për policë”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
VLEN e ka kritikuar BDI-në edhe për qëndrimet e saj ndaj përfaqësimit të shqiptarëve, duke rikujtuar periudhën kur kjo parti ishte në pushtet.
“Ku ishin zëvendësministrat e BDI-së kur qëndronin krah ministrave që i quanin shqiptarët ‘terroristë’? Ku ishin kur një ministër deklaronte se nuk i jepte të drejtë një shqiptari të fliste vetëm pse e kishte dënuar?”, thuhet në reagim.
Sipas VLEN-it, BDI në atë kohë ka heshtur, ndërsa sot, sipas tyre, paraqitet si mbrojtëse e shqiptarëve.
“BDI nuk ka as kredibilitet moral e as politik të flasë për përfaqësimin e shqiptarëve. Pas 22 vitesh pushtet, nuk mund të fshihet pas propagandës dhe shpifjeve”, thekson VLEN.
Në fund, VLEN deklaron se nuk do të lejojë që, siç shprehet, “gënjeshtrat e BDI-së të zëvendësojnë faktet” dhe akuzon partinë opozitare se po përdor këtë çështje për qëllime politike.
