Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, në një intervistë për “Lajm TV” dhe gazetën “Lajm” ka folur për vizionin e tij politik lidhur me pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Thaçi ka theksuar se, sipas tij, shqiptarët duhet të krijojnë institucione autonome brenda shtetit dhe të sigurojnë një mekanizëm të kontrolluar vetoje në vendimmarrje.
Sipas tij, qëllimi është që shqiptarët të kenë mundësi të përcaktojnë vetë kriteret dhe parimet për funksionimin e institucioneve që lidhen me ta.
“Pika kryesore, thelbi, nyja që e lidh tash programin e PDSH-së, është se ne shqiptarët duhet patjetër të ngrisim brenda këtij shteti institucionet tona autonome”, është shprehur Thaçi.
Ai ka përmendur si shembull Bosnjë-Hercegovinën dhe mënyrën e përfaqësimit të komuniteteve në institucionet shtetërore, duke argumentuar se modele të tilla, sipas tij, mund të shërbejnë si referencë për zgjidhjen e çështjeve të përfaqësimit.
Thaçi ka folur edhe për krijimin dhe zhvillimin e institucioneve shqiptare në vend, duke përmendur universitetet, institutet dhe institucionet kulturore. Ai ka thënë se kjo politikë duhet të vazhdojë, duke e konsideruar krijimin e institucioneve autonome si pjesë të rëndësishme të programit të PDSH-së.
Ai ka theksuar se një model i tillë nuk duhet të nënkuptojë ndarje apo veprime jashtë kornizës së shtetit, por duhet të bazohet në të drejtat e njeriut dhe në parimet e institucioneve euro-atlantike.
“Këto institucione për të cilat po flasë, do të ngriten në bazë të principeve universale të funksionimit, lirive dhe të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Thaçi.
Në fund, kreu i PDSH-së ka përsëritur qëndrimin se shqiptarët duhet të kenë mekanizma të tyre institucionalë dhe një rol më të fuqishëm në vendimmarrje.
“Pa u krijuar institucionet tona autonome dhe vendimmarrja të jetë me veto, e kontrolluar, nuk ka shpresë për përmirësim të situatës tonë”, ka përfunduar Menduh Thaçi.
