Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka shqiptuar 94 gjoba, me vlerë totale prej 28.200 eurosh, ndaj personave të zgjedhur dhe të emëruar që nuk kanë respektuar afatin ligjor për deklarimin e gjendjes pasurore dhe interesave.
Vendimi është marrë më 29 korrik, ndërsa gjoba për secilin rast është 300 euro.
Në mesin e të sanksionuarve ka ish-kryetarë komunash, drejtorë të ndërmarrjeve dhe institucioneve publike, këshilltarë komunalë, anëtarë të bordeve, gjyqtarë, deputetë dhe zyrtarë të tjerë.
Mes emrave të gjobitur janë edhe ish-kryetari i Strumicës, Kostadin Kostadinov, ish-kryetari i Gjorçe Petrovit, Aleksandar Stojkoski, si dhe ish-kryetari i Pllasnicës, Alija Jaoski.
Sipas të dhënave të KSHPK-së, këto gjoba nuk nënkuptojnë se është zbuluar pasuri e fshehur apo e padeklaruar. Sanksionet janë vendosur për shkak të mosdorëzimit të deklaratës për gjendjen pasurore dhe interesave brenda afatit të përcaktuar me ligj.
Në disa raste janë konstatuar edhe shkelje të përsëritura, ndërsa ndaj disa personave janë shqiptuar dy gjoba për periudha të ndryshme të ushtrimit të funksionit.
KSHPK ka sanksionuar gjithashtu raste të papajtueshmërisë së funksioneve, ku persona kanë ushtruar njëkohësisht dy pozita për të cilat ligji parasheh ndalim.
