Ambasada e SHBA-së në Shkup ka njoftuar se duke filluar nga 15 korriku 2026, do të hyjë në fuqi një sistem i ri pagese për Shërbimet e Shtetasve Amerikanë, që përfshijnë aplikimet për pasaporta dhe shërbimet noteriale.
Sipas njoftimit, në sportelin konsullor nuk do të pranohen më para në dorë, kartela krediti apo forma të tjera pagese. Të gjitha tarifat do të duhet të paguhen paraprakisht në internet përmes portalit zyrtar Pay.gov.
Qytetarët amerikanë që kanë caktuar takim në Ambasadën e SHBA-së në Shkup duhet të kryejnë pagesën online dhe të printojnë konfirmimin elektronik, të cilin do ta paraqesin gjatë takimit në sportelin konsullor.
Nga ambasada bëjnë thirrje që aplikuesit të informohen paraprakisht dhe të ndjekin procedurat e reja për të shmangur vonesa apo probleme gjatë shërbimeve konsullore.
