Festivali kthehet në skenë tragjedie, gjendet një foshnjë e vdekur

Një ngjarje e rëndë ka tronditur festivalin e njohur Electric Forest në Rothbury, Michigan, ku trupi i një foshnje të porsalindur është gjetur brenda një tualeti portativ.

Sipas autoriteteve, zbulimi është bërë të dielën në mëngjes nga një punonjës i kompanisë që mirëmban tualetet portative, gjatë një kontrolli rutinë në zonën e kampingut. Menjëherë pas gjetjes, policia ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

Policia Shtetërore e Michiganit ka bërë apel për ndihmën e publikut, duke kërkuar çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e rrethanave të kësaj tragjedie. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin spekulimet në rrjetet sociale, në mënyrë që të mos pengohet procesi hetimor.

Edhe organizatorët e festivalit kanë reaguar, duke shprehur tronditjen dhe pikëllimin për ngjarjen, ndërsa kanë deklaruar se po bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet.

Electric Forest është një nga festivalet më të mëdha të muzikës në Shtetet e Bashkuara, që mbledh çdo vit dhjetëra mijëra pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës. Ky është një prej incidenteve më të rënda të regjistruara në historinë e festivalit.