Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ndaj deklaratave të profesorit Jeton Shasivari lidhur me protestën e mbajtur në Tetovë dhe kritikave të tij ndaj kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.
Në një reagim publik, Ademi e akuzoi Shasivarin se është rreshtuar në mbështetje të politikave të VMRO-DPMNE, duke pretenduar se deklaratat e tij lidhen me ambicie për të siguruar një post të lartë shtetëror.
Sipas Ademit, Shasivari, i cili konsiderohet një nga autorët e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, po e vendos interesin personal mbi integritetin profesional dhe interesin kombëtar.
Në reagimin e tij, Ademi u shpreh se ka njerëz që postet shtetërore i shohin si mision, ndërsa, sipas tij, Shasivari i konsideron ato si shpërblim për nënshtrim, duke shtuar se ai sot mbron figura dhe politika të VMRO-DPMNE-së me synimin për të siguruar një funksion institucional.
Reagimi i plotë i Arbër Ademit:
“Mileniku” i të gjitha pushteteve, sot i Karakamishevës, Siljanovskës dhe VMRO-së, doli sërish të llomotisë. Jo për të mbrojtur shqiptarët, por për të mbrojtur dëmin që pushteti po ua shkakton atyre. Dhe, si zakonisht, shigjetat i drejton ndaj kryetarit të BDI-së, sepse aty ia kërkon shefi dëshminë-besnikërinë.
Ka njerëz që postin e gjykatësit kushtetues apo të ministrit e shohin si mision. Ky e sheh si shpërblim për nënshtrim. Prandaj nuk habit fakti që sot mbron Karakamishevën, Siljanovskën e VMRO-në, ndërsa nesër do të mbrojë këdo që i garanton kolltukun.
Kërmijtë politikë nuk ecin me bindje, por zvarriten pas pushtetit, duke lënë gjurmë mbi çdo interes shqiptar që u del përpara. Historia na ka mësuar se askush nuk i rehabiliton ata që, për karrierë personale, shkelin mbi dinjitetin e popullit të vet.
