Tentoi t’i marrë paratë një gruaje të moshuar, arrestohet i dyshuari në Kriva Pallankë

Policia e Maqedonisë së Veriut ka parandaluar një rast të dyshuar mashtrimi ndaj një gruaje të moshuar në Kriva Pallankë, ndërsa ka arrestuar një 45-vjeçar nga Shkupi.

Sipas MPB-së, gruaja ishte kontaktuar me telefon nga një person që ishte prezantuar si mjek nga Italia. Ai e kishte bindur se vajza e saj kishte pësuar lëndime të rënda pas një aksidenti dhe se për trajtimin urgjent nevojiteshin 35 mijë euro.

E moshuara, e shqetësuar nga informacioni, kishte pranuar të dorëzonte paratë që kishte në shtëpi. Megjithatë, para se ta bënte këtë, ajo kontaktoi dhëndrin e saj, i cili e këshilloi të njoftonte policinë.

Pas denoncimit, policia ndërhyri menjëherë dhe arriti të lokalizojë e arrestojë të dyshuarin pranë banesës së gruas.

I arrestuari po mbahet në stacion policor, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit do të përballet me kallëzimet përkatëse për tentativë mashtrimi.