Nis procesi i rikonstruimit të Qeverisë, Mickoski paralajmëron ndryshime për funksionarët pa rezultate

Procesi i rikonstruimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ka hyrë në fazën e parë, ndërsa gjatë ditëve në vijim priten takime me partnerët e koalicionit për të përcaktuar ndryshimet e mundshme në përbërjen qeveritare.

Burime politike bëjnë të ditur se bisedimet me partnerët e koalicionit do të zhvillohen gjatë fundjavës, pas së cilave pritet të vendoset se cilët ministra dhe drejtues institucionesh do të vazhdojnë detyrën dhe cilët do të zëvendësohen.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nuk do të tolerojë funksionarë që, sipas tij, nuk janë të përkushtuar ndaj qytetarëve dhe detyrave të tyre. Ai tha se ka marrë informacione për ministra dhe drejtorë që janë larguar nga kontaktet me qytetarët dhe nuk po tregojnë rezultatet e pritshme.

“Ka funksionarë që e duan më shumë pozitën sesa shërbimin ndaj qytetarëve. Nuk pranoj justifikime për lodhje apo mungesë angazhimi. Kush nuk mund të përballojë ritmin e punës, duhet të largohet”, theksoi Mickoski.

Në fokus të diskutimeve mbetet edhe pozita e ministrit të Politikës Sociale, Fatmir Limani, i cili pas largimit nga VLEN është përmendur si një nga emrat që mund të preket nga ndryshimet. Megjithatë, ai deklaroi se për të më e rëndësishme është puna dhe rezultatet, sesa vetë posti ministror.

Nga ana tjetër, tashmë është konfirmuar se zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, nuk do të jetë më pjesë e Qeverisë, pasi dorëheqja e tij është pranuar zyrtarisht.

Jozyrtarisht flitet se rikonstruimi mund të përfshijë jo vetëm ndryshime në emra, por edhe rishpërndarje të disa resorëve ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar.