Zelensky: Vetëm Trump mund ta bindë Putinin të negociojë për fundin e luftës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se është i bindur që vetëm presidenti amerikan Donald Trump ka ndikimin e nevojshëm për ta shtyrë presidentin rus Vladimir Putin të ulet në tryezën e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Pas përfundimit të samitit të G7, Zelensky tha se përfundimi i konfliktit kërkon presion të drejtpërdrejtë ndaj Moskës, si dhe një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara në procesin diplomatik. Ai theksoi se një takim i mundshëm mes tij dhe Putinit mund të realizohej vetëm me ndërmjetësimin e Uashingtonit.

“Mendoj se Donald Trump mund ta bëjë këtë gjë. Vetëm ai mund t’ia dalë”, u shpreh Zelensky.

Në samitin e G7, ku morën pjesë liderët e SHBA-së, Japonisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, Gjermanisë dhe Kanadasë, u diskutua për rritjen e presionit ndaj Rusisë përmes paketave të reja të sanksioneve, veçanërisht në sektorin e energjisë.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian po përgatit paketën e 21-të të masave ndëshkuese ndaj Moskës, e cila pritet të përfshijë kufizime të reja për transportin detar dhe flotën ruse të naftës.

Zelensky bëri të ditur se me liderët e G7 ka biseduar edhe për hapa të tjerë në forcimin e presionit ekonomik dhe politik ndaj Rusisë, duke theksuar se për një zgjidhje të mundshme të luftës, “rol kyç mbetet ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.