Kasami: Për 24 muaj bëmë më shumë punë se ata për 24 vjet

Në Kuvendin themelues të VLEN-it, të mbajtur në Tetovë, bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, deklaroi se bashkimi i pesë subjekteve politike në një të vetëm përbën një moment historik për skenën politike shqiptare dhe një mundësi për përfaqësim më të fuqishëm të qytetarëve.

Kasami theksoi se, megjithëse VLEN ka qenë në fazë konsolidimi, brenda dy viteve në qeveri ka arritur të realizojë projekte dhe të zgjidhë çështje që, sipas tij, kishin mbetur të pazgjidhura për dekada.

“Për 24 muaj arritëm të zgjidhim probleme, të ndërtojmë dhe të zhvillojmë politika më shumë sesa kishin bërë ata para nesh për 24 vjet. Edhe pse ishte ndër pikat më të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit, ata për 24 vjet nuk sollën ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Ne po e bëjmë për 24 muaj”, u shpreh Kasami.

Ai përmendi si arritje ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, mundësimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, njohjen e diplomave të medresesë, avancimin e punimeve në Korridorin 8 dhe rrugën Shkup-Bllacë, funksionalizimin e sistemit One Stop Shop me Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe investimet në Spitalin e Tetovës, Spitalin e Kërçovës dhe Kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”.

Kasami vlerësoi gjithashtu investimet në Tetovë dhe angazhimin për largimin e lojërave të fatit nga lagjet, duke theksuar se VLEN ka zgjedhur punën konkrete në vend të retorikës politike.

“Faktet janë të qarta dhe kokëforta. Për 24 vjet shqiptarët i qeverisën me demagogji të zbrazët, me propagandë e gënjeshtra. Me ardhjen e VLEN-it, shqiptarët kanë hyrë në epokën e punës, ndërtimit dhe zhvillimit”, deklaroi ai.

Në fund, Kasami u bëri thirrje aktivistëve, rinisë dhe funksionarëve të VLEN-it që të prezantojnë para qytetarëve punën dhe rezultatet e arritura, duke theksuar se projektet konkrete janë përgjigjja më e mirë ndaj propagandës politike.