Shoferët e taksive në Shkup shprehen të pakënaqur me mungesën e reagimit nga institucionet për problemet me të cilat përballen çdo ditë në punën e tyre.
Sipas tyre, më 12 shkurt ata zhvilluan një takim me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ku paraqitën një sërë propozimesh dhe kërkesash për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e sigurisë së pasagjerëve.
Megjithatë, ata thonë se disa ditë pas takimit i kanë dorëzuar zyrtarisht propozimet e tyre, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje apo reagim nga autoritetet kompetente.
Shoferët theksojnë se ndër vite janë grumbulluar një sërë problemesh të pazgjidhura, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e transportit me taksi dhe në cilësinë e shërbimit për qytetarët.
- Ata kërkojnë që institucionet të shqyrtojnë sa më shpejt kërkesat e tyre dhe të ndërmarrin hapa konkretë për zgjidhjen e çështjeve që, sipas tyre, prej kohësh kanë mbetur pa adresim.
