Qamili: BDI ka shitur gjysmën e Tetovës me çmime të ulëta

Zv.kryetari i Komunës së Tetovës dhe zëdhënësi i VLEN-it, Albi Qamili, në një paraqitje televizive në emisionin “OnTime” në TV Koha, ka akuzuar BDI-në për shitjen e pronave publike në Tetovë gjatë mandateve të kaluara.

Ai tha se posedon dokumente dhe vendime të Këshillit Komunal që, sipas tij, dëshmojnë shitjet e pronave me çmime shumë të ulëta.

Qamili përmendi disa raste konkrete, duke deklaruar se “Monopoli” është shitur mbi 15 mijë metra katrorë me 5 euro për metër katror, Teteksi mbi 227 mijë metra katrorë po ashtu me 5 euro, Shik Jellaku për 29 mijë euro dhe Alumina me 25 mijë metra katrorë për 125 mijë euro.

Ai shtoi se janë dorëzuar disa aktpadi ndaj udhëheqjes së mëparshme, por sipas tij, ato nuk janë trajtuar nga institucionet përkatëse.

Qamili theksoi gjithashtu se gjatë udhëheqjes aktuale nuk do të ketë shitje të paligjshme të pronave publike dhe se proceset do të jenë transparente.