Policia ka identifikuar dhe arrestuar personin e dyshuar për zjarrvënien e dy automjeteve zyrtare në pronësi të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup.
Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas raportimit të incidentit, i cili ndodhi sot rreth orës 12:13, ekipet policore kanë ndërmarrë masa intensive për zbardhjen e rastit dhe gjetjen e autorit.
Si rezultat i hetimeve, brenda një periudhe të shkurtër kohore është identifikuar dhe privuar nga liria I.D. (44) nga Shkupi, i cili dyshohet se qëndron pas ngjarjes.
Gjatë veprimeve hetimore, policia ka gjetur edhe veshjet që i dyshuari dyshohet se ka pasur të veshura në momentin e kryerjes së veprës.
Autoritetet bëjnë të ditur se në koordinim me prokurorin publik kompetent po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Pas përfundimit të procedurave, ndaj të dyshuarit do të ngrihet kallëzim penal përkatës dhe rasti do të procedohet me procedurë urgjente.
