Shkupi tashmë më afër Prishtinës

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti ka vlerësuar investimin prej 200 milionë eurosh për ndërtimin e rrugës Shkup–Bllacë–Prishtinë, duke e cilësuar atë si një projekt strategjik që do të afrojë më shumë qytetarët dhe ekonomitë e dy vendeve.

Përmes një reagimi publik, Mexhiti theksoi se ky projekt përfaqëson dallimin mes premtimeve dhe realizimit konkret të tyre.

“Ky është dallimi mes fjalëve dhe veprave. Mes premtimeve të thata dhe projekteve që ndryshojnë jetën e qytetarëve”, u shpreh ai.

Sipas Mexhitit, investimet në infrastrukturë rrugore janë investime në zhvillimin ekonomik, në krijimin e mundësive të reja dhe në forcimin e lidhjeve mes vendeve të rajonit.

“Kjo është qeverisja jonë. Çdo premtim i mbajtur, çdo angazhim i kthyer në punë. Investojmë për një shtet më të zhvilluar, për ekonomi më të fortë dhe për lidhje më të afërta mes vendeve tona”, deklaroi ai.

Ai shtoi se ndërtimi i rrugëve nuk nënkupton vetëm infrastrukturë, por edhe afrim të njerëzve, lehtësim të qarkullimit dhe hapje të perspektivave të reja për brezat e ardhshëm.

“Po ndërtojmë kilometra rrugë, sepse kështu afrojmë njerëz, krijojmë mundësi dhe hapim horizonte të reja për brezat që vijnë”, përfundoi Mexhiti.