Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë festimit të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, ka komentuar protestën e zhvilluar në Tiranë kundër projekteve në Zvërnec.
Në fjalën e tij, Rama deklaroi se në protestë kanë marrë pjesë edhe persona nga Kosova dhe Tetova, duke i krahasuar veprimet e tyre me ato të opozitës.
“Asgjë normale edhe në faktin se, megjithëse në Vlorë e duan projektin dhe hallin e kanë se po nuk dëmtohet sezoni nga anulimet e rezervimeve për protestës, forca të ndryshme hidhen në bulevard, gurë deri edhe nga Kosova dhe Tetova dhe fshehin dorën”, u shpreh ai.
Kryeministri kritikoi gjithashtu opozitën dhe partitë e reja politike, duke i akuzuar se po përpiqen të përfitojnë politikisht nga protestat dhe pakënaqësitë qytetare.
Megjithatë, Rama tha se ka simpati për të rinjtë që besojnë se po zhvillojnë një revolucion qytetar, duke shtuar se është i gatshëm të dialogojë me ta nëse ata dëshirojnë një bisedë të hapur.
