RMV-ja anëtare e “BE për Shëndetin” nga 24 qershori

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, njoftoi se nga 24 qershori Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare e plotfuqishme e programit evropian “BE për Shëndetin” (EU4Health), një nga programet më të mëdha të Bashkimit Evropian në fushën e shëndetësisë, me buxhet prej 4.4 miliardë eurosh.

Sipas Aliut, anëtarësimi në këtë program do t’i mundësojë vendit qasje në fonde, ekspertizë profesionale dhe mbështetje teknike për modernizimin e sistemit shëndetësor.

Ai theksoi se përmes këtij programi do të krijohen mundësi të reja për institucionet shëndetësore, komunitetin akademik, organizatat profesionale dhe shoqatat e pacientëve, duke afruar sistemin vendor me standardet evropiane.

Ministri vlerësoi se sektori i shëndetësisë përballet me sfida të shumta, veçanërisht në aspektin e mungesës së kuadrit profesional, por shtoi se tashmë po punohet në planifikimin afatgjatë të kapaciteteve njerëzore në bashkëpunim me institucionet arsimore.

Aliu premtoi gjithashtu se do të gjendet zgjidhje edhe për statusin e punonjësve në Klinikën e Fëmijëve në Shkup, të cilët së fundmi kërkuan rregullimin e marrëdhënieve të tyre të punës dhe pagesën e detyrimeve të prapambetura.

Sipas tij, anëtarësimi në programin “BE për Shëndetin” përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt reformimit dhe zhvillimit të sistemit shëndetësor në vend.