Karim Adeyemi flet për herë të parë për incidentin që i kushtoi gjobë të madhe

Sulmuesi i Borussia Dortmundit, Karim Adeyemi, ka folur për herë të parë në detaje lidhur me një incident që e përfshiu në hetime dhe i solli një gjobë prej rreth 500 mijë eurosh.

Në episodin e dytë të dokumentarit të Amazon Prime “Loredana & Karim – Dashuri & Drama”, futbollisti rrëfen rrethanat e një porosie online që më pas u bë objekt shqyrtimi nga autoritetet.

Ngjarja, sipas tij, ndodhi gjatë kohës kur ai ishte me pushime, ndërsa partnerja e tij, këngëtarja Loredana, ndodhej e angazhuar në projekte televizive. Ai shpjegon se një mik i afërt kishte marrë paketat dhe i kishte transportuar, pa qenë i informuar për përmbajtjen e tyre të saktë.

“Karim ishte me pushime dhe erdhi me mua në xhirimet e DSDS. E thirra Benin dhe i kërkova të merrte pakot”, ka deklaruar Loredana në dokumentar.

Vetë Adeyemi thotë se mbeti i habitur kur mësoi se çfarë ndodhej brenda pakove të porositura online.

“Ishte një kapuç, një teh i madh, një palë mbrojtëse për gishtat dhe disa gjëra të tjera. Mendova: kjo nuk mund të jetë e vërtetë”, u shpreh ai.

Sipas futbollistit, produkti ishte blerë si një “kuti misterioze” nga një faqe interneti që ofronte pajisje të ndryshme për gjueti dhe aktivitete të ngjashme.

Ai shtoi se qëllimi i tij ishte vetëm mbrojtja personale dhe e partneres së tij, duke theksuar se nuk kishte dijeni se porosia mund të ngjallte probleme ligjore.

“Nëse dikush dëshiron të më sulmojë mua, le ta bëjë, por jo familjen time… Mendova se nëse mund të blihej online, nuk mund të ishte e paligjshme”, deklaroi Adeyemi.