Surpriza me 300 dronë që Flori Mumajesi i bëri Soni Malaj në “Ferma VIP 3” vazhdon të komentohet gjerësisht në publik.
E pyetur gjatë spektaklit Prime për këtë moment të veçantë, Soni foli me emocion për marrëdhënien dhe mbështetjen që ka marrë ndër vite nga Flori.
“Unë gjithmonë e kam pasur të nevojshme mbështetjen e Florit, ka qenë shumë e rëndësishme për mua. Ne jemi njerëz diskretë dhe nuk flasim shumë, por veprojmë”, u shpreh këngëtarja.
Ajo tregoi se nuk e kishte pritur një surprizë kaq madhështore, duke e cilësuar si një nga momentet më të bukura dhe emocionuese për të. Soni përshkroi emocionet e saj kur pa qiellin të ndriçuar nga qindra dronë dhe mesazhet dedikuar asaj.
E pyetur nëse mund të ketë një rikthim mes saj dhe Florit, këngëtarja nuk e përjashtoi mundësinë, duke lënë të kuptohet se topi është në fushën e artistit.
“Në një marrëdhënie, hapat e rëndësishëm duhet t’i marrë mashkulli. Ai i di gjërat nga ana ime”, deklaroi Soni, duke shtuar më pas me humor: “Po tani çfarë statusi kam?”.
