Pas 12 vitesh pritje, vendoset gurëthemeli i sallës sportive në SHFK “Drita” në Rashçe

Pas më shumë se një dekade pritjeje, sot në fshatin Rashçe u vendos gurëthemeli i sallës sportive të SHFK “Drita”, një projekt i shumëpritur nga nxënësit, prindërit dhe stafi arsimor.

Drejtoresha e shkollës, Linda Kovaçi, tha se realizimi i këtij projekti i jep fund një pritjeje 12-vjeçare dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm për të ardhmen e nxënësve, duke krijuar kushte më të mira për edukim, aktivitet fizik dhe zhvillimin e talenteve sportive.

Kryetari i Komuna e Sarajit, Muhamed Elmazi, theksoi se ky projekt ishte një nga premtimet e bëra gjatë zgjedhjeve lokale dhe se komuna do të vazhdojë të investojë në përmirësimin e kushteve për qytetarët në të gjitha vendbanimet.

Ndërkaq, Driton Sulejmani bëri të ditur se projekti është mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me një investim prej 1 milion eurosh. Ai theksoi se përmirësimi i infrastrukturës shkollore mbetet prioritet, me qëllim ngritjen e cilësisë së procesit arsimor dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit.

  • Salla sportive pritet të ofrojë hapësira moderne për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe edukative, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet në shkollë.