Humbje të pretenduara pas falimentimit të një këmbimoreje në Kërçovë

Falimentimi i një këmbimoreje në Kërçovë ka ngritur shqetësime të mëdha te qytetarët dhe veçanërisht te mërgimtarët, të cilët pretendohet se kanë humbur shuma të konsiderueshme parash.

Sipas informacioneve që po qarkullojnë në opinion, disa persona kanë pasur të depozituara shuma që variojnë nga 100 mijë deri në 300 mijë euro, ndërsa dëmi i përgjithshëm dyshohet se mund të kalojë vlerën e 20 milionë eurove.

Rasti ka nxitur reagime dhe pyetje të shumta në publik, me qytetarët që kërkojnë më shumë transparencë dhe informacion nga institucionet përgjegjëse lidhur me zhvillimet dhe masat që po ndërmerren.

Në reagimet e publikuara në rrjetet sociale, është ngritur shqetësimi për mungesën e informacionit zyrtar, si dhe për heshtjen e institucioneve lokale dhe organeve kompetente në lidhje me këtë çështje.

Po ashtu, është theksuar roli i mërgatës në zhvillimin ekonomik të Kërçovës ndër vite, duke kërkuar që rasti të trajtohet me seriozitet dhe të sqarohet sa më shpejt për opinionin publik.

Deri më tani nuk ka informacione zyrtare që konfirmojnë shumën e dëmit të pretenduar apo numrin e personave të prekur nga ky rast.