Kallëzim penal ndaj dy policëve në Shkup për përdorim të forcës së tepërt ndaj një të ndaluari

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzime penale kundër dy oficerëve të policisë, të dyshuar për përdorim të forcës së tepërt fizike ndaj një personi të privuar nga liria.

Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për policët me inicialet D.S. dhe M.S., pjesëtarë të Njësisë së Policisë Ndërhyrëse në SPB Shkup.

“Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për shkak të dyshimeve për veprën penale ‘ngacmim gjatë kryerjes së detyrës’”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Sipas autoriteteve, incidenti ka ndodhur më 19 prill 2026 rreth orës 03:00, kur gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, dy policët dyshohet se kanë përdorur forcë të tepruar fizike dhe i kanë shkaktuar lëndime personit të ndaluar.

MPB njoftoi gjithashtu se Departamenti për Kontroll të Brendshëm do të iniciojë procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore ndaj dy oficerëve të përfshirë në rast./lajmpress.org/