Filipçe: Qeveria e Mickoskit po e çon vendin drejt kolapsit financiar

Kryetari i LSDM, Venko Filipçe, ka akuzuar qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski për menaxhim të dobët ekonomik dhe rritje të pakontrolluar të borxhit shtetëror.

Sipas Filipçes, situata me buxhetin dhe financat publike është alarmante, ndërsa qytetarët nuk po ndiejnë asnjë përmirësim në standardin e jetesës.

“Ka ngecje në rritjen e pagave, nuk ka rritje të pagës minimale apo mesatare dhe qytetarët nuk po ndiejnë asgjë konkrete që do ta përmirësonte jetën e tyre”, deklaroi ai.

Filipçe theksoi se huamarrja e fundit prej 300 milionë eurosh është dëshmi se qeveria po përballet me mungesë serioze fondesh dhe po përpiqet të mbulojë deficitin buxhetor me borxhe të reja.

Ai shtoi se borxhi total i shtetit, sipas tij, është rritur me rreth 2 miliardë euro që nga viti 2024, duke e cilësuar këtë si rezultat të politikave të papërgjegjshme financiare të qeverisë aktuale.