Nikola Gruevski nga Hungaria: “Në Maqedoni ka përndjekje brutale politike”

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, ka reaguar në rrjetet sociale duke komentuar deklaratat e Jane Cento dhe duke folur për atë që e cilëson si “përndjekje brutale politike” në vend.

Në një postim në Facebook, Gruevski tha se deklarata e Çentos është një tjetër dëshmi për mënyrën se si, sipas tij, janë zhvilluar proceset gjyqësore ndaj personave të caktuar në Maqedoni.

“Nëse ka ende dikush në Maqedoni që vazhdon të ketë sadopak dyshim për ekzistimin e një përndjekjeje brutale politike, ja edhe një deklaratë tjetër”, shkroi ai.

Nikola Gruevski theksoi se, sipas tij, edhe rastet e tjera gjyqësore janë zhvilluar me “të njëjtat metoda dhe presione”.

Ai shtoi se disa persona nuk kanë arritur t’i përballojnë presionet, ndërsa të tjerë kanë mbetur, siç u shpreh ai, “të lirë dhe krenarë për dinjitetin dhe qëndrueshmërinë e tyre”.