Projekti i Çarshisë në debat, BDI me dyshime për tenderin, VMRO-DPMNE mohon çdo parregullsi

Opozitarja BDI ka kritikuar projektin për Çarshinë, duke thënë se një “masterplan” i prezantuar më herët është degraduar në zëvendësim të disa kalldrëmeve, gjysma e të cilave përfundojnë me asfalt. Sipas tyre, kjo cenon identitetin e zonës dhe ngre dyshime për procesin e tenderimit dhe përzgjedhjen e kompanisë “Lendi Grup”, e themeluar në vitin 2024, e cila sipas BDI-së ka fituar disa tenderë në komuna të drejtuara nga VMRO-DPMNE.

“Qytetarët kanë të drejtë të pyesin: pse një kompani e sapokrijuar bëhet kaq shpejt aktor dominues? Kush e favorizon? Dhe pse pikërisht këto kompani lidhen vazhdimisht me të njëjtin rreth politik? A po paguan Çairi borxhin ndaj VMRO-DPMNE për mbështetjen zgjedhore? Çairi nuk duhet të shndërrohet në stacion të fundit të një zinxhiri tenderësh që fillon dhe mbaron me interesa partiake. Kërkojmë transparencë të plotë për kontratat e ‘Lendi Grup’, kriteret dhe mënyrën e përzgjedhjes”, tha Imrane Veliu Aliu nga BDI.

VMRO-DPMNE i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se kompania nuk është themeluar në vitin 2024, por në vitin 2012, dhe se ka fituar tenderë edhe gjatë qeverisjes LSDM–BDI.

“Kompania e përmendur nga BDI nuk është e vitit 2024, por e vitit 2012. E njëjta ka marrë tenderë edhe në kohën kur LSDM dhe BDI ishin në pushtet. Ndryshe nga më parë kur tenderët i rregullonte Artan Grubi, tani procesi është publik dhe transparent”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Nga Komuna e Çairit nuk pati përgjigje për këto akuza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *