26-vjeçarja humb jetën duke shpëtuar vajzën 2-vjeçare nga treni

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Leingarten-Mitte, në landin Baden-Württemberg të Gjermanisë, ku një 26-vjeçare humbi jetën pasi u godit nga një tren, ndërsa arriti të shpëtonte vajzën e saj 2-vjeçare.

Sipas Policisë, dyshohet se e reja kishte kaluar vendkalimin hekurudhor kur semafori ishte i kuq. Në momentin që vuri re trenin që po afrohej, ajo shtyu karrocën me vajzën jashtë zonës së rrezikut, duke i shpëtuar jetën.

Menjëherë pas kësaj, 26-vjeçarja u godit nga treni, i cili peshonte rreth 100 tonë, dhe humbi jetën në vendngjarje.

Autoritetet gjermane bëjnë të ditur se sinjalizimi zanor dhe ai pamor në vendkalimin hekurudhor ishin në funksion. Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit, përmes analizimit të regjistruesit të trenit, marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe përgatitjes së ekspertizës.

Sipas dëshmitarëve, makinisti kishte aktivizuar frenimin emergjent dhe kishte dhënë sinjal paralajmërues para përplasjes.

Vajza 2-vjeçare shpëtoi pa lëndime, ndërsa asnjë nga 43 pasagjerët e trenit nuk u lëndua.