Zjarri në Serbi afrohet drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut

Një zjarr i madh që ka përfshirë territorin e Serbisë po shkakton re të dendura tymi, të cilat janë afruar pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut.

Sipas raportimeve, zjarri po përhapet nga drejtimi i fshatit serb Tërnava në drejtim të fshatit Strazha në Komunën e Likovës, në afërsi të pikës kufitare Tabanoc.

Tymi i dendur tashmë ka mbuluar pjesën më të madhe të Komunës së Likovës, ndërsa është vërejtur edhe në pjesë të Komunës së Haraçinës dhe në Kumanovë.

Banorët e zonave përreth kanë shprehur shqetësim për përmasat e zjarrit dhe kanë bërë thirrje që ai të lokalizohet sa më shpejt, para se të afrohet drejt territorit të Maqedonisë së Veriut.