Deputetët në Turqi kanë miratuar një projektligj të ri që kufizon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, një masë që shihet si pjesë e përpjekjeve globale për mbrojtjen e të miturve në internet.
Vendimi është marrë vetëm një javë pas një sulmi të armatosur në një shkollë në Kahramanmaraş, ku një 14-vjeçar vrau disa nxënës dhe një mësues, ndërsa më pas humbi edhe jetën.
Autoritetet turke po hetojnë aktivitetin online të sulmuesit për të kuptuar nëse ai ka qenë i ndikuar nga përmbajtje të dëmshme në internet.
Sipas ligjit të ri, platformat si YouTube, TikTok, Facebook dhe Instagram do të detyrohen të vendosin sisteme për verifikimin e moshës dhe kontroll prindëror.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, pritet ta nënshkruajë projektligjin brenda 15 ditëve që ai të hyjë në fuqi. Ai më herët ka theksuar rreziqet që rrjetet sociale paraqesin për fëmijët.
Ndërkohë, opozita në Turqi e ka kritikuar nismën, duke argumentuar se mbrojtja e të miturve duhet të bazohet në politika edukative dhe jo në kufizime të drejtpërdrejta të aksesit në rrjete sociale.
