Tragjedi pas kërkesës për divorc, në banesën e të dyshuarit zbulohen armë

Kërkesa për divorc nga ana e 27-vjeçares Nafije Bogujevci është një nga pistat që po shqyrtohen nga hetuesit për zbardhjen e vrasjes së saj dhe vëllait, Egzon Bogujevci, në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit.

Për ngjarjen është arrestuar bashkëshorti i saj, Valon Ramushi. Gjatë të shtënave mbeti i plagosur rëndë edhe kushëriri i viktimave, Mazllum Bogujevci, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas raportimeve, tre personat ndodheshin në të njëjtin automjet kur Ramushi iu afrua dhe hapi zjarr. Pas ngjarjes, ai e dërgoi bashkëshorten në urgjencën e spitalit të Gjilanit, ku ajo mbërriti pa shenja jete.

Në kuadër të hetimeve, policia ka kontrolluar banesat dhe pronat e të dyshuarit, ku ka sekuestruar armë gjahu me leje të skaduara, një pistoletë pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë të kalibrave të ndryshëm, telefona celularë dhe pajisje për regjistrimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë.

Ramushi ndodhet në paraburgim dhe po hetohet për vrasje të rëndë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.