Prokuroria Themelore Publike dhe Policia e Kumanovës kanë nisur hetimet pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje që shfaq një rast dhune fizike ndaj një vajze.
Sipas informacioneve fillestare, ngjarja ka ndodhur rreth katër muaj më parë, por deri tani nuk ishte raportuar në institucionet kompetente.
Kryetarja e Prokurorisë Themelore Publike në Kumanovë, Teuta Bediu-Ramadani, bëri të ditur se menjëherë pas publikimit të videos është hapur një lëndë dhe rasti po trajtohet me procedurë urgjente.
Sipas saj, një nga personat e përfshirë është i rritur, ndërsa dy të tjerët janë të mitur.
Edhe Policia e Kumanovës ka konfirmuar se po ndërmerr veprime për zbardhjen e plotë të rastit dhe ka paralajmëruar se do të japë më shumë informacione pas përfundimit të kontrolleve.
Publikimi i pamjeve ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe ka rikthyer vëmendjen te rastet e dhunës mes bashkëmoshatarëve.
